Sali Berisha

Apeli ia ndryshon masën Malltezit, Berishën e lë me “detyrim paraqitjeje”

Apeli i Gjykatës për Korrupsion dhe Krim të Organizuar në Shqipëri,  ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Në anën tjetër kjo shkallë e ka lënë në fuqi masën “detyrim paraqitjeje” për Sali Berishën.

Në një deklaratë për mediat në mbyllje të seancës Genc Gjokutaj, avokati i Berishës dhe Malltezit e cilësoi vendimin “një kopje të keqe të vendimit të shkallës së parë”.

“Gjykata shpalli vendimin duke miratuar kërkesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, duke caktuar masën “arrest në shtëpi”. Kjo mbetet një çështje politike të cilën ne do ta ndjekim deri në fund”, tha mes të tjerash Gjokutaj.

Sipas avokatit Gjokutaj, kallëzimi i Taulant Ballës është regjistruar në të njëjtën ditë që është depozituar, që tregon sipas tij se kemi të bëjmë me një hetim të dirigjuar politikisht

Malltezi u arrestua në Rinas më 21 tetor me urdhër të SPAK. Mbi të rëndojnë akuzat për “Korrupsion Pasiv” dhe “Pastrim Parash”, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi, ortak i Malltezit dhe ndërtues i kompleksit të pallateve.

Ish-kryeministrit i është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.