Gjykata e Apelit

Apeli i çon nga paraburgimi në arrest shtëpiak pesë zyrtarët e Pejës të arrestuar për korrupsion

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësve të të pandehurit Arianit Krasniqi, avokatit Besim Ahmetaj dhe katër të pandehurve të tjerë, duke zëvendësuar masën e paraburgimit të vendosur nga Gjykata e Pejës, me arrest shtëpiak, të dyshuar për korrupsion lidhur me lejet ndërtimore.

Një vendim të tillë e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ashtu që janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të pandehurve: Arianit Krasniqi, avokatit Besim Ahmetaj, Osman Kollqaku, avokatit Gëzim Kollqaku, Mustafë Nila, avokatit Vllaznim Shehu, Argjent Lleshi, avokatit Gëzim Baloku dhe Mentor Beqiri, avokatit Osman Cucoviq, janë të bazuara.

Ndryshe, sipas hetimeve të zgjeruara të nisura më 12 gusht të këtij viti, Prokuroria e Pejës e ngarkon të pandehurin Arianit Krasniqi dhe Osman Kollqakun se më 14 maj 2020, në drejtorinë për Cëështje Pronësore në Komunën e Pejës, me dashje dhe si bashkëkryes me të pandehurin Osman hartojnë konkluzion dhe kërkesën për ndarje dhe regjistrim të pronës së këmbyer edhe pse e kanë ditur se ky regjistrim nuk mund të bëhet para se të bëhet vlerësimi i pronave nga Departamenti për Tatim në Pronë pranë Ministrisë së Financave, me të cilat ia kanë mundësuar personave G.Sh dhe H.K të regjistrohen si pronarë në patundshmërinë e ngastrave kadastrale.

Të pandehurit Krasniqi dhe Kollqaku dyshohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Të pandehurit Mustafë Nila si drejtor i Kadastrit dhe Gjeodezisë në Pejë dhe Argjend Lleshi në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, dyshohen se nuk kanë dërguar për vlerësim pronën për këmbim dhe të njëjtit lejojnë regjistrimin duke mos bërë vlerësimin e pronës, ashtu që i mundësojnë G.Sh dhe H.K, regjistrimin e pronës në atë drejtori ende pa u përmbushur obligimet reciproke mes komunës dhe personave të lartcekur.

Sipas hetimeve, këto vlerësime janë bërë në shtator të 2020-ës pasi që të njëjtit kanë lejuar regjistrimin dhe të gjitha këto me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga G.Sh dhe H.K.

Për këtë, ata dyshohen për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, Mentor Beqiri dyshohet se me mosveprim nuk ka zbatuar Ligjin për Ndërtim dhe autorizimet ligjore, pasi sipas Prokurorisë, i njëjti nuk kishte inspektuar fazat e ndërtimit në objektin “Gështenja ndërrimit” dhe “5 V Home” SH.P.K, dhe nuk i ka raportuar parregullsitë e objektit, i cili sipas Prokurorisë nuk ishte ndërtuar sipas kushteve dhe lejes ndërtimore.

Me këtë, ai dyshohet për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Plarent Trakaniqi dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar –gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral të Kosovës, gjatë matjes gjeodezike të pllakës së bodrumit tek subjekti ekonomik 5 V Home”, nuk paraqet gjendjen faktike në raport me gjendjen kadastrale, i cili objekt sipas Prokurorisë është në kundërshtim me kushtet e lejes ndërtimore dhe me projektin.

Me këtë, Trakaniqi dyshohet për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I pandehuri Faton Bajselmani dyshohet se në cilësinë e gjeodetit pranë AKK-së, gjatë matjes gjeodezike në subjektin ekonomik “NNT Gështenja”, nuk ka paraqitur gjendjen faktike në terren në raport me gjendjen kadastrale sipas të dhënave dhe koordinatave.

Sipas Prokurorisë matjet gjeodezike dhe incizimet e tij, bien ndesh me matjet gjeodezike/incizimet e ZKK-së, ashtu që objekti në fjalë është në kundërshtim me kushtet e lejes ndërtimore dhe me projektin.

Për çka, Bajselmani dyshohet për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Vepra penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.