Anulimi i festivalit “Sunny Hill”, Abdixhiku: Skandal i pariparueshëm për vendin tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se ky vendim i Qeverisë së Albin Kurti është skandal i pariparueshëm për vendin, shkruan Demokracia.com.

Ai po ashtu ka thënë se për shkak se kjo Qeveri nuk di të krijojë dhe ndërtojë e as nuk lejon të tjerët të krijojnë dhe ndërtojnë edhe e ka marrë një vendim të tillë.

“Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë”, ka shkruar ndër të tjerash Abdixhiku.

Reagimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë.

Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë.

Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë.

“Sunny Hill” në Kosovë u anulua për shkak se autoritetet e Kosovës kanë dështuar që t’i sigurojnë licencat për mbajtjen e festivalit. Kështu, organizatori Dukagjin Lipa ka konfirmuar se festivali do të mbahet në Tiranë, duke ua nisur edhe një letër krerëve të shtetit, të cilët i ka konsideruar fajtorë për këtë dështim.

Të gjithë personat që kanë blerë bileta, do t’i kenë ato të vlefshme, kurse ata që nuk mund të udhëtojnë për në Tiranë, do të mund që t’i rimbursojnë ato.