Antikorrupsioni i përcjell në Prokurori 63 raste për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Mbi 4700 zyrtarë të lartë publikë e kanë për obligim sipas ligjit të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Këtë vit afati për deklarimin e pasurisë ka përfunduar më 31 mars, ndërsa ka pasur zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë e tyre por ka pasur edhe të tillë që e kanë deklaruar të pasaktë.

148 raste për mos deklarim të saktë të pasurisë kundrejt zyrtarëve të lartë publik janë trajtuar këtë vit.

Prej 148, 63 raste janë përcjellë në Prokurori të Shtetit.

Kështu kanë bërë të diturAgjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Nga fillimi i vitit e deri me 15 dhjetor 2022, me pretendime për deklarim të pasaktë të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik janë trajtuar 148 raste. Prej tyre, 63 raste janë përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Ndërsa, janë edhe 68 raste në procedurë të hetimeve administrative”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Të pyetur se në çfarë pike është rasti i hetimit të pasurisë ndaj ambasadorit, Martin Berishaj, nga agjencia kanë thënë se kanë përfunduar hetimet.

“Krejt çka mund të themi është që Agjencia ka një kohë që ka përfunduar procedurën e hetimeve administrative’’, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Ndryshe, publikimi i pasurisë këtë vit në Kosovë ka filluar me 14 qershor.