Antigona Ramosaj flet për bashkëshortin e ndjerë: Nuk mendova ta lidh jetën me një tjetër

Në rubrikën “Gjysma ime” në “E Diela Shqiptare”, sot ishte e ftuar Antigona Ramosaj, së bashku me dy fëmijët e saj, këngëtarët Alban dhe Beatrix Ramosaj. Pasi rrëfyen lidhjen e ngushtë që kanë me njëri-tjetrin, Antigona tregoi edhe për bashkëshortin e ndjerë, si u njoh me të dhe sa të vështirë e ka pasur jetën si nënë e vetme e Albanit dhe Beatrix. Ajo tregoi edhe momentet më të vështira dhe se ka bërë shumë sakrifica që të rritë fëmijët sa më mirë dhe sa më të edukuar.

Antigona rrëfeu se të atin e fëmijëve të saj e njohu në Gjermani, ku punonte në moshë fare të re tek të afërmit e saj: “Unë atë e njoha sa isha në Gjermani. Isha tek dajat e mi, kishin një restorant të vogël dhe punoja si vajzë dhe një herë a dy herë e kam parë që ka ardhur për darkë dhe më thotë daja im, ‘të kemi fejuar se ai djali shumë i mirë’. i thashë po si më keni fejuar, ndërkohë që unë nuk e njihja fare. Por kam qenë shumë me fat, sepse ka qenë shumë i mirë”.

I ati i Albanit dhe Trixës është ndarë nga jeta 11 vjet më parë, por Antigona nuk e mendoi veten me njëri tjetër pas vdekjes së tij:

Nuk e mendova, ua dedikova fëmijëve, ishte ajo gjëja që doja më së shumti në jetë dhe më vjen keq ndonjëherë nëse s’kam bërë aq sa duhet për këta, por jam munduar me shpirt që mos u mungojë asgjë. Se një femër vetëm pa mbështetje është e vështirë, sidomos në këto kohë që po jetojmë. Jam munduar me shumë sakrificë që të mbaj dhe dy turne që këtyre të dyve të mos u mungojë gjë. Jam shumë e lumtur që u rritën, u edukuan, e morën rrugën e vet, jam shumë e lumtur dhe do i mbështes sa të kem jetë”.Reklamë

Më tej, Antigona rrëfeu se gjatë një periudhe të vështirë për të, e motra Albërie Hadërgjonaj është kujdesur shumë: “Një moment ka qenë kur kam qenë shumë e sëmurë dhe gati një vit a më shumë i ka marrë Albëria dhe është kujdesur shumë. Pa Albërinë dhe nënën time, unë nuk do kisha arritur dot këtu ku jam, i kam pasur krahë të fortë, ua di shumë për nder se çfarë kanë bërë për mua”.