Petar Petkoviq

Ankohet Petkoviq, qe 9 herë mu ndalua hyrja në Kosovë, shpërthen në akuza ndaj Kurtit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, është deklaruar pas ndalimit të vizitës së tij në Kosovë.

Ai thotë se vizitën e ka njoftuar sipas procedurave, derisa shton se “Prishtina nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve kur mua, si negociator kryesor nga ana e Beogradit, nuk më lejohet të hyj në Kosovë”.

Ai ka thelluar propagandën duke thënë se kryeministri Kurti s’ia ka lejuar vizitën meqë atë “e ka shqetësuar” vizita e planifikuar e Petkoviqit te një qytetar serb, Nemanja Mitroviq, për të cilin pretendon se “është sulmuar me thikë nga shqiptarët”. 

“A mendon Kurti se mund të fshihet nga ajo që i ka ndodhur atij të riut? Por nuk mundet, ashtu si qindra incidente dhe sulme që ndodhin çdo ditë, mbi gjithçka serbe, në pronën e Kishës Ortodokse Serbe… A ka menduar Albin Kurti se ndalimi im do të ndalojë hapjen e sheshit Vëllezërit Miliq? Jo, ai do të hapet në Mitrovicë në mënyrë madhështore”, duke shtuar se vëllezërit Miliq ishin “ushtarë jugosllavë që vdiqën duke luftuar për Kosovën”.

Petkoviq tha se për sot kishte planifikuar një bisedë me popullin serb për sigurinë dhe problemet e tyre, derisa tha se “Kurti dërgon mesazh se nuk dëshiron të flasë, por dëshiron tensione, dëshiron të shkaktojë konflikte dhe destabilizim në Kosovë”, shkruan Novosti, transmeton Gazeta Express.

Ai tha se nuk do të heqë dorë nga vizitat në Kosovë derisa tha se zyra e tij ka shumë plane për “investime” në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë.