Ankesa për mungesë të ujit të pijshëm në Podujevë, KRU ‘Prishtina’ thotë se keqpërdorimet në këtë komunë kanë arritur kulmin

Qendra e qytetit të Podujevës, të martën ka mbetur pa ujë të pijshëm.

Qytetarët thonë se uji është ndalur që në mëngjes dhe pa paralajmërim nga ujësjellësi.

“Që prej mëngjesit nuk kemi ujë të pijshëm, lagjja jonë parapa Komunës së re. Nuk e dimë pse është ndalë apo nëse ka ndonjë prishje. Neve askush nuk na ka lajmëruar paraprakisht”, ka thënë qytetari.

Lidhur me këtë Telegrafi ka kontaktuar Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishitina”.

Zëdhënësja e ‘KRU’ Prishtina, Arjeta Mjeku nuk ka treguar arsyen pse kjo lagje ka mbetur pa ujë, por ka theksuar se uji po vazhdon të keqpërdoret me të madhe në Komunën e Podujevës, përfshirë fshatrat përreth.

Sipas saj, prodhimi i ujit në Fabrikën e Batllavës është në maksimum, por se keqpërdorimi ka arritur kulminacionin, dhe kështu uji nuk po arrin në çdo shtëpi.

“Nuk ka reduktime. Prodhimi është në maksimum nga ana jonë, deri më tash uji ështe duke u keqpërdorë më së shumti në Komunën e Podujevës, në fshatra dhe qytet. Është një keqpërdorim klasik i ujit që po ndodhë atje”, është shprehur Mjeku.

Kjo ka bërë që KRU-ja të obligojë Komunën e Podujevës, të nxjerrin një “Urdhërësë” për mënyrën e përdorimit të ujit gjatë sezonës së verës.

“Se shpejti do takohemi me zyrtarë të Komunës së Podujeves që siç kanë vepruar vitin e kaluar, ashtu edhe tani që të nxjerrin një urdhëresë administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit, që inspektorët tanë bashkë me ata të komunës së Podujevës t’i intensifikojnë kontrollet e rrepta dhe keqpërdoruesit të marrin gjobën e merituar”, tha Mjeku.

Urdhëresa e njëjtë ishte bërë edhe vitin e kaluar, pikërisht për arsye të përdorimit të ujit pa kontrollë.