Anëtari i VV-së në KQZ: Presidenti po tenton ta mashtrojë Gjykatën Kushtetuese

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se presidenti Thaçi, në komentet që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dekretimin e Avdullah Hotit mandatar për formimin e qeverisë së re, po përpiqet ta mashtrojë Gjykatën me të pavërteta.

Rrustemi, në një postim në Facebook, tha se “në komentet që ka dërguar Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, i vetëdijshëm për shkeljen e rëndë të Kushtetutës, përpiqet ta mashtrojë Gjykatën me të pavërteta”.

Postimi i plotë i Rrustemit:

“Presidenti tenton ta mashtrojë Gjykatën Kushtetuese

Në komentet që ka dërguar Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, i vetëdijshëm për shkeljen e rëndë të Kushtetutës, përpiqet ta mashtrojë Gjykatën me të pavërteta.

Në faqen 28 të komenteve, Presidenti ka thënë të pavërteta për mocionin e vitit 2017, kur shkruan se “në rrjedhë të mocionit të mosbesimit, Kuvendi mori vendim për shpërndarjen e tij”. Vazhdon mashtrimin, duke thënë se gjeni të bashkëngjitur vendimin e Kuvendit për shpërndarjen e legjislaturës dhe njoftimin e Kryetarit të Kuvendit për shpërndarjen e Kuvendit.

Ndërsa, kur shikon dokumentet, është e qartë se as situata dhe as dokumentet nuk dallojnë nga mocioni i këtij viti. Krejt çka i ishte ofuar më 2017, është ofruar edhe tash. Vendimi dhe njoftimi për votimin e mocionit, në bazë të të cilave Presidenti kishte shpërndarë Kuvendin dhe kishte caktuar datën e zgjedhjeve.

Shikoni dokumentet”, ka shkruar Rrustemi, duke ia bashkangjitur postimit edhe faksimile të dokumenteve.

Pas vendimit presidentit të vendit, Hashim Thaçi, që të dekretojë Avdullah Hotin për kryeministër në Qeverinë e re, LVV i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinion ligjor për mandatarin, të cilin Thaçi ia dha LDK-së, për formimin e Qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit ku u rrëzua qeveria në krye me Albin Kurtin.