Anëtari i kryesisë së Nismës distancohet nga gjuha kërcënuese e Haxhi Hotit

Anëtari i kryesisë qendrore të Nisma Socialdemokrate dhe kryetar i degës në Deçan, Shkodran Imeraj pas postimit të anëtarit të Nismës, Haxhi Hotit, i cili po dyshohet nga Policia për ‘shtytje në vrasje’, lidhur me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ka deklaruar se ka ardhur koha që strukturat drejtuese të Nisma Socialdemokrate të distancohen nga çdo veprim i pa matur i gjithsecilit anëtar të saj, ngase rruga politike është tepër e gjatë dhe me shumë sfida.

Imeraj ka thënë se në çdo rrethanë kundërshtarin politik e ke kundërshtar të ideologjisë dhe të bindjeve rreth shumë e shumë problemeve të jetës se përditshme të qytetarëve të vendit tonë, por assesi në asnjë rrethanë e situatë, nuk e ke armik, dhe nuk duhet përdorur gjuhë kërcënuese apo shantazhuese ndaj askujt, sepse jeta e gjithsecilit nga ne, është e vlefshme dhe e çmuar.

“Çdo thirrje me gjuhë urrejtje e kërcënuese ndaj kundërshtarit politik apo ndaj kujt do qoftë tjetër, është e papranueshme dhe jo parimore. Andaj, unë personalisht si anëtar i kryesisë qendrore të Nisma Socialdemokrate, distancohem nga gjuha kërcënuese e shantazhuese e anëtarëve tonë ndaj gjithsecili anëtar dhe zyrtari të subjekteve të tjera politike, e posaçërisht kundër gjuhës shantazhuese ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryeministër Albin Kurti bërë nga anëtari i jonë dhe ish kandidati për deputet Haxhi Hoti”, tha ai.