Zheljko Komshiç, anëtar i presidencës së Bosnje e Hercegovinës – etniteti kroat – dhe Denis Beçiroviç, po ashtu anëtar i presidencës trepalëshe të BeH-së – etniteti boshnjak– kanë takuar të premten Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa iu kanë përgjigjur Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – etniteti serb në BeH – Millorad Dodik, se nuk do ta pyesin atë se kënd të takohen dhe çfarë të diskutojnë.
Kurti është duke qëndruar në BeH që nga e enjtja, ku do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99” në Sarajavë.
Kjo vizitë ka nxitur zemërimin e autoriteteve serbe në Banja Llukë. Dodik, deklaroi se Kurti nuk është i mirëpritur në këtë vend, duke pretenduar se vizita e kreut të ekzekutivit kosovar në Sarajevë është “provokim i hapur” ndaj të cilit Republika Srpska “s’do të heshtë”.
Duke iu kundërpërgjigjur këtyre kritikave që erdhën nga Dodik dhe disa vende të rajonit, në këtë rast Serbia, Komshiç kujtoi se Republika Srpska nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se e njëjta nuk është kompetent për lëshimin e vizave të hyrjes në BeH.
Përveç kësaj, Komshiç ka bërë të qartë se nuk do ta pyesin Dodik-un apo dikë tjetër me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë.
“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër provë evidente të përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të Bosnje e Hercegovinës në drejtimin e politikës së jashtme”, ka thënë Komshiç, derisa ka treguar se me Kurtin diskutuan për proceset e përgjithshme politike dhe sociale në rajon.

Anëtari kroat i presidencës së BeH-së ka falënderuar Kurtin për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e BeH-së, duke theksuar se vlerësojmë një veprim kaq të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe për rrjedhojë të pazakontë të kryeministrit kosovar, pasi që BeH nuk e ka bërë të njëjtën me Kosovën – kjo për shkak të vetos që përdor Republika Srpska.
“Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimit të mallrave të ndërsjella”, theksoi Komshiç.
Në njoftimin për takimin mes Kurtit dher anëtarit boshnjak të presidencës së BeH-së Beçiroviç, thuhet se ata kanë thënë deklaruar se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Beçiroviç ka potencuar se disa politikanë nga Bosnja e Hercegovina, duke iu referuar atyre të Republikës Srpska, duhet të ndalen me propagandën “goebbelsian” (propaganda e nazizmit gjerman).
“Sot nuk po diskutojmë për njohjen e Kosovës, sepse për të gjithë është e qartë se një vendim i tillë kërkon konsensus në Presidencën e BeH. Njerëzit përgjegjës duhet të insistojnë gjithmonë në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në diskutime konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga procesi i Berlinit”, tha Beçiroviç.
Ai ka theksuar se nuk do të lejojnë askënd që të mendojë se ata “mund të disiplinojnë udhëheqësit e shtetit të Bosnje e Hercegovinës dhe t’u diktojnë atyre se kush, ku dhe kur mund të flasin”.
“Le ta harrojnë atë përgjithmonë”, është deklaruar i prerë Beçiroviç.







