Lista Serbe

Anëtarët e Listës Serbe dorëhiqen nga komisionet komunale zgjedhore në veri

Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje, mëson KOHA nga burimet.

Ata ishin emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 18 mars të këtij viti, e më 21 prill do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan.

Por, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë ka thënë të dielën se s’do të marrë pjesë në votim për shkarkimin e kryetarëve.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Sipas tij, janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”.