Andin Hoti: Ukshin Hotin të gjallë na e kanë marrë, të gjallë e presim

Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, ka thënë se babain e tij e pret të kthehet i gjallë.

Në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, Hoti theksoi se Ukshin Hotin “të gjallë e kanë marrë, të gjallë e presim”.

“Unë besoj që nuk ka nevojë të mendoj ndryshe, derisa dihet statusi i tij. Edhe në këtë rast, jo vetëm për babin tim, por dhe me ligj të personave të zhdukur, ne nuk paragjykojmë status të personave të zhdukur. Në luftën e fundit në Kosovë, Serbia përveç ka vrarë, ka masakruar, i ka zhdukur trupat e tyre, ka marr edhe njerëz të gjallë të shumtë dhe i ka zhduk ata njerëz. Ne nuk kemi nevojë të mendojmë ndryshe, të gjallë na e kanë marrë, të gjallë e presim”, është shprehur ai.

Hoti, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, shtoi se nuk paragjykojnë për statusin e personave të zhdukur.

“Natyrisht që ne nuk mund ta ndryshojmë statusin e tyre. Koha kogja luan rol të madh në këtë pikë. Mirëpo ne nuk guxojmë të paragjykojmë për statusin e këtyre personave”, ka deklaruar ai.