Andin Hoti renditet lartë në Këshillin Drejtues, ka një falemnderim për besimin e dhënë

Në listën e Këshillit Drejtues të PDK-së më i votuar del Uran Ismaili, ndërsa aty mungojnë emra të figurave të njohura të partisë si Xhavit Haliti, Arsim Bajrami.

Të dielën, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e Nëntë Zgjedhore dhe sipas të gjitha pritjeve, ka rizgjedhur kryetar pa asnjë kundërkandidat, Kadri Veselin.

Në listën e të zgjedhurve të Këshillit Drejtues të kësaj partie, nuk shihen emra si Xhavit Haliti, Justina Pula, Arsim Bajrami e Elmi Reçica.

Më i votuari në listë është Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, që pritet të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja. Ismaili ka marrë 461.

Pas Ismailit më të votuarit janë ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, me 458 vota dhe Hajredin Kuçi me 453 vota. Po ashtu, Ministri i Financave, Bedri Hamza është pjesë e listës me 433 vota.

Mbi 400 vota ka marrë edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

Për 400 votat e fituara, Andin Hoti ka një falemnderim:

Faleminderit!

Me mirënjohje të thellë falënderoj të gjithë delegatët e Konventës së IX të Partisë Demokratike të Kosovës për besimin tuaj duke më renditur lart në Këshillin Drejtues të PDK-së.

Besimi me ZEMER është nder i veçantë dhe përgjegjësi për të vazhduar me përkushtim në qëllimin për një Kosovë më të mirë e të përparuar, për Kosovën që meritojmë.

Me sinqeritet,
Andini