Analizë ligjore: Ministri i tretë nga komunitetet i takon pashmangshëm Listës Serbe

Përfaqësimi i komuniteteve në Qeverinë e Kosovës është adresuar në Nenin 96 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më saktësisht në Nenin 96, Pikat 3, 4, 5.

Në përbërjen e Qeverisë së Kosovës prej 12 ministrave, një ministër obligativisht i takon komunitetit serb dhe një tjetër, komuniteteve të tjera.

Por, nëse Qeveria do t’i ketë më shumë se 12 ministra, siç specifikohet në nenin 96.3, atëherë do të kemi edhe një ministër të tretë që përfaqëson komunitetet joshumicë, siç përcaktohet edhe me Kushtetutë “Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Pra, Kushtetuta nuk detyron apo nuk obligon që kryeministri patjetër ta caktojë këtë ministër të tretë nga komuniteti serb, sipas germës së Kushtetutës.

Megjithatë, Kushtetuta nuk e thotë kund që kryeministri ka diskrecionin ta emërojë ministrin e tretë që vjen nga komunitetet, sipas vullnetit të tij.

Por, edhe pse deri këtu është e paqartë, ajo që e qartëson është fryma e Kushtetutës, sipas të cilës të drejtat e komunitetit serb kanë një përparësi evidente në krahasim me komunitetet e tjera, për shkak të historisë tragjike të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë  (shqiptarëve dhe serbëve), në vijim të të gjitha ndërmarrjeve ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjes së Kosovës (prej Konferencës së Ramboilletit deri te Procesi i Vjenës), dhe po ashtu, duke marrë parasysh që komuniteti serb është pakica më e madhe në Kosovë.

Edhe përfaqësimi politik i komunitetit serb në institucionet qendrore të Kosovës, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës, reflekton këtë fakt  (të pjesëmarrjes së serbëve në popullsinë e Kosovës), prandaj nga 20 ulëset e garantuara për komunitete, 10 ulëse i takojnë komunitetit serb dhe 10 ulëse të gjitha komuniteteve të tjera.

Fakt tjetër është që Lista Serbe ka fituar të gjitha këto 10 mandate, në emër të komunitetit serb, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Dhe, në teori së paku nëse këto 10 mandate të komunitetit serb do të ishin të ndara në disa subjekte që përfaqësojnë këtë komunitet, për shkak të fuqisë politike të një entiteti tjetër që përfaqëson komunitetin boshnjak apo turk, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të mund edhe ta emëronte ministrin e dytë nga një komunitet tjetër, që nuk vjen nga komuniteti serb, sepse do të mund të thirrej në argumentin e forcës politike. Por, diçka e tillë, në këtë rast është e pamundur dhe nga oferta e fundit e Kurtit më së shumti përfiton pikërisht Lista Serbe.

Kjo listë është subjekti i pestë për nga fuqia në Kuvendin e Kosovës, me 10 deputetë, shkruan lajmi.net.

Dhe, po ashtu, edhe në këtë rast duhet të merret parasysh përvoja e deritashme në emërimin e ministrave që përfaqësojnë komunitetet në Qeverinë e Kosovës.

Kjo përvojë, që nga Qeveria e parë e Kosovës, e krijuar në vitin 2002 e këndej, është e njëjtë, identike. Pra, gjithmonë ministri i tretë që përfaqëson komunitetet në Qeverinë e Kosovës ka qenë nga komuniteti serb, ndërsa në Qeverinë e fundit të Kosovës, të krijuar në shtatorin e vitit 2017, komuniteti serb madje ka pas tre ministra në Qeverinë e Kosovës.

Nëse kryeministri i ri do ta ndërmarrë megjithatë këtë hap, të emërimit të ministrit të tretë nga komunitetet joserbe, atëherë Qeveria e re do të ballafaqohet me probleme të mëdha politike dhe kushtetuese.

Së pari, ‘Lista Serbe’ nuk do të marrë fare pjesë në Qeverinë e Kosovës, gjë që do ta tërheq me vete mungesën e përkrahjes së 11 deputetëve të ‘Listës Serbe’  (pos dhjetë deputetëve të ‘Listës Serbe’, aty është edhe përfaqësuesi i komunitetit goran, Adem Hodza).

Pra, Qeveria e Kosovës do të ketë përkrahjen e më së shumti 66 deputetëve.

Së dyti, nuk ka dyshim që ‘Lista Serbe’ do ta ngritë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me gjasa të mëdha që ta fitojë rastin, i cili do të kishte domethënien që Kryeministri e ka shkelë Kushtetutën.

Me një shkelje të këtij lloji, Qeveria  e Kosovës do të detyrohej të ofronte dorëheqje.

Me interpretimet kushtetuese të juristëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti në fillim thoshte që nuk ka nevojë të pranojë asnjë ministër nga Lista Serbe, gjë që më vonë e kishte kuptuar edhe vetë që e kishte gabim, sepse anashkalimi i tyre ishte shkelje kushtetuese.