Analisti i VV-së për aferën e ryshfetit: Nëse daja ka kompani, nuk duhesh me pranu me qenë këshilltar në ministrinë ku daja fiton tenderë

Xhevdet Pozhari, analisti që mbron pozicionin e subjektit politik në qeverisje, Lëvizje Vetëvendosje, ka kritikuar Florent Ramqaj, këshilltarin e ministrit Liburn Aliu, i cili dyshohet për një rast ryshfeti e korrupsioni në Ministrinë e Mjedisit, Zhvillimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Pozhari, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka shkruar lidhur me rastin, duke thënë se Ramqaj nuk do duhej të ishte këshilltar i një ministrie ku merr tender daja i tij, ashtu siç dyshohet në aferën e publikuar nga mediumi Nacionale, shkruan lajmi.net.

Florent Ramqaj i VV-së moralizonte për përgjimet “Pronto”, tani vet i përmendur në aferë të ryshfetit
Emisioni “Ditari i Buzhalës” dje ka publikuar përgjime në të cilat dyshohet për një rast ryshfeti e korrupsioni në Ministrinë e Mjedisit, Zhvillimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila drejtohet nga ministri Liburn Aliu.

“Çështja është e thjeshtë: Nëse daja ka kompani e ti ma herët ke punu qaty, hiq nuk duhesh me pranu me qenë këshilltar në një ministri ku daja fiton tenderë”, ka shkruar ai.

“Edhe hiq mos me pas faj, dyshimet kanë me mbetë. Jo për tjetër gjë, por kështu i ka akuzu bash VV të tjerët në të kaluarën. Gabimi është bë në fillim. Këto tjerat janë veç pasojat”, përfundon postimi i analistit të VV-së.