Analisti dhe sociologu i njohur gjerman: Putini dëshiron ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian duhet të rishqyrtojë politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, përndryshe rajoni kërcënohet me destabilizim të mëtejshëm që mund të çojë në një ringjallje të luftës, tha Gerald Knaus i Iniciativës për Stabilizim Evropian (ESI), një institut me ndikim në Berlin, transmeton Ballkani.info.

“Moska është aktualisht e interesuar në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Gerald Knaus për agjencinë austriake të lajmeve (APA). Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin, i nervozuar  nga ndihma ushtarake e Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë, po kërkonte hapësirë ​​për një kundërsulm.

“Ballkani Perëndimor është një mundësi ideale për një lëvizje të tillë”, thotë sociologu dhe eksperti i migracionit Knaus, i cili shpeshherë pyetet në Gjermani dhe Austri për mendimin e tij për Ballkanin Perëndimor.

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë

Ai tha se situata, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, “nuk është ende në prag të luftës”, por se ajo mbetet e tensionuar.

“Njerëzit kanë frikë dhe nëse ka provokime nga jashtë, situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe atë shumë shpejt”, paralajmëroi Knaus.

Ai paralajmëroi se Bashkimi Evropian nuk duhet të përsërisë gabimin si në Ukrainë, por t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale për t’u anëtarësuar në BE, në vend që të përsërisë “gjithmonë të njëjtat fraza që askush nuk beson më”.

“Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojë shpejt Ballkanit një perspektivë të qartë dhe konkrete të BE-së,” tha Knaus.

Eksperti i migracionit deklaroi se lufta në Ukrainë do të shkaktojë migrimet më të mëdha brenda Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

“Tashmë, numri i njerëzve që vijnë nga Ukraina çdo javë tejkalon numrin e refugjatëve që erdhën në Greqi në vitin 2015”, tha Knaus. /Ballkani.info/