Analistët thonë se taksa duhet të hiqet, nuk përjashtohen as protestat nga opozita

Zëvendësimi i taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake me masën e reciprocitetit nga analistët politikë po shihet si veprim më i arsyeshëm karshi politikave agresive të Serbisë. Megjithatë, sipas tyre, kjo duhet të aplikohet e jo të përdoren lojëra populiste. Zëvendësimi i taksës po konsiderohet se do të ketë kosto politike për kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për çka sipas tyre do të ketë edhe protesta nga opozita.

Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija tha se masa e reciprocitetit ka qenë në kuadër të programit të vet Albin Kurtit. Pavarësisht kësaj, sipas tij është shumë e rëndësishme se si do të vendoset kjo masë, porse taksa nuk duhet të largohet pa vendosjen e masës së reciprocitetit.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ka një plan prej qeverisë për zëvendësimin e taksës, e kjo i bie që vijnë në plan politikat e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket pjesës së reciprocitetit. E pjesa tjetër është rezistenca e opozitës në këtë rast e AAK-së si politikë e vendosur nga ata që taksa të mos hiqet. Por duhet të shihet me kujdes të shtuar. Më e rëndësishme se vendosja e masës së reciprocitetit është mënyra se si vendoset. E këtu kemi parasysh edhe përfshirjen e opozitës. Pa një debat të mirëfilltë në Kuvend dhe pa një plan paraprak të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit e mbi të gjitha për pasojat që do të mund të ishin tutje për vështirësitë e vendosjes së taksës, unë mendoj që nuk do të duhej të ngutej e as të merret ndonjë lloj vendimi”, thotë Alija.

Sipas tij, vendosja e masës së reciprocitetit do të ketë kosto politike për kryeministrin Kurti.

“Pikërisht këtu është kosto e politike që mund të paguajë Kurti me zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit që i bie një kosto për opozitarizëm shumë të theksuar e mbi të gjitha një lloj opozitarizmi me tone shumë të larta, siç e kemi parë edhe në ditën e formimit të qeverisë. Do të ketë kritika, dhe nuk përjashtohen as protestat e mundshme për heqjen e taksës. Mirëpo kjo është kosto politike që do ta paguajë Kurti me rastin e zëvendësimit të reciprocitetit”, tha Alija.

Shefi i ekzekutivit kosovar masën e reciprocitetit me Serbinë e ka përmendur edhe gjatë javës, për çka sipas Albin Kurtit do të ketë edhe përkrahjen e opozitës.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë. Edhe për sh kaqe historike dhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti në parimin i cili më së shumti njihet në vlerën e tij në raporte fqinjësore bilaterale, e ky është reciprociteti. Edhe LDK edhe LVV edhe zonja Osmani edhe unë pra mbi 60 për qind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë me parimin e reciprocitetit. Unë besoj se edhe ata që janë sot në opozitë ose ata që nuk na votuan, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë dakord”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi tha përmes telefonit se taksa duhet të hiqet, dhe reciprociteti duhet të aplikohet.

“Unë mendoj se në interes të çuarjes përpara të procesit taksa duhet të hiqet. Mendoj se ajo e ka arritur efektin. Sa i përket reciprocitetit ai duhet të aplikohet absolutisht, por jo duke u proklamuar a shpallur. Do të thotë s’ka nevojë për nxitje e krekosje, por thjesht aplikohet. Mënyra e tillë mund të mos jetë popullore për qeverinë, por kjo qeveri duhet ta bëjë ndryshimin edhe në këtë kuptim – jo lojëra populiste, por punë dhe qasje realiste dhe bashkëpunim me SHBA dhe BE-në, përkatësisht Gjermaninë dhe aleatët e tjerë”, tha Paçarizi.

Sa i përket rifillimit së dialogut me Serbinë, Paçarizi thotë se kjo është e pamundur pa bashkëpunimin ndërmjet pozitës e opozitës.

“Sa për dialogun, mbështetja e opozitës varet nga formati i dialogut dhe qasja që do të ndërtojë kryeministri Kurti. Është shpresëdhënëse qasja e ndryshuar e tij në raport me presidentin Thaçi që ka nisur ta konsiderojë bashkëpunëtor dhe jo me armik politik. Dialogu dhe marrëveshja me Serbinë është e pamundur pa bashkëpunim të ngushtë dhe të hapur. Tek e fundit, përvoja mos-bashkëpunimi kemi pasur mjaft”, deklaron ai.

Krahas kësaj, Rasim Alija vlerëson se kreu i Qeverisë nuk do ta ketë në prioritet çështjen e dialogut. Megjithatë, sipas tij rol kyç për një qasje tjetër për fillimin e dialogut do të jetë pas vizitës me kancelaren gjermane Angela Merkel. Kjo e fundit pas marrjes së detyrës, ka ftuar Kurtin për një vizitë në Berlin.