Analistët: Presidenti të mos jetë pjesë e pazareve politike, të zgjidhet nga populli

Zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte zgjidhja më e mirë për demokracinë kosovare. Por për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, thotë se praktika e zgjedhjes së Presidentit nga marrëveshja e koalicionit duhet të ndryshojë.

Abdullahu e quan ofendim elektoral që të shtrohet kjo çështje në një tavolinë, pasi sipas tij, kjo temë ka krijuar mosmarrëveshje e cila po e pengon edhe krijimin e Qeverisë.

“Do të ishte një praktikë e re dhe e mirë që të bohet diçka ndryshe jo sikur ka ndodhur deri më tani, sidomos jo ajo çfarë po kërkohet të bëhet tani që presidenti i ardhshëm të përcaktohet nga një marrëveshje që faktikisht nuk ka kurrfarë lidhje me Presidencën. Pra qytetarët kur kanë dhënë votën dhe kur dolën fitues këto dy parti, nuk kanë kurrfarë mandati as detyrë të çfarë do natyre që të merren vesh për presidentin”.

“Është ofendim për institucionet tona, është ofendim për elektoratin që të shtrohet probleme ashtu sikundër është thënë se duhet të merremi vesh për presidentin, tani, se përndryshe do të na vie një zarf tjetër ku do të shkruhet emri i një presidenti të ri, jo nuk do të ndodh ajo, prandaj konsideroj që është e tepërt tani forcat fituese politike të merren vesh të kësaj natyre, aq më shumë kur shihet se kjo përpjekje për t’u marrë vesh ka krijuar mosmarrëveshje e cila po e pengon edhe krijimin e qeverisë”, ka thënë Abdullahu.