Analistët: Plani franko-gjerman pozitiv për Kosovën – nëse e pranojmë, rritet presioni mbi Serbinë

Propozimi franko-gjerman për një kornizë të re të dialogut mes me Serbinë po konsiderohet pozitiv për Kosovën nga njohësit e rrethanave politike. Sipas tyre, bazuar në përmbajtjen e publikuar, nuk ka arsye që një propozim i tillë të refuzohet nga ekzekutivi kosovar, megjithatë thonë se si e tillë ajo e paplotë.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin thotë se në rrethanat aktuale gjeopolitike të Evropës, propozimi franko-gjerman është më i miri i mundshëm pasi bën që Kosova të faktorizohet karshi botës perëndimore.

“Plani gjerman pikërisht e potencon respektimin e integritetit territorial që është pozitive për Kosovën, sidomos vendosja e misioneve të përhershme, që në gjuhë diplomatike i bie vendosja e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve”, deklaron ai.

“Plani e faktorizon Kosovën edhe karshi pesë vendeve mosnjohëse sepse kur kemi vendosje të misioneve të përhershme diplomatike i bie që të dyja vendet janë pajtuar për të vazhduar tutje si të pavarura”.

Pra, në këtë mënyrë thotë se mund të sigurohet fuqishëm njohja nga pesë vendet e BE-së.

“Ky do të ishte një plan strategjik pozitiv nëse e shohim në tri aspekte; në aspektin afatshkurtër do të ishte plani për i mirë për anëtarësim në NATO, në planin afatmesëm, do ta na njihnin pesë vendet e BE-së dhe në planin afatgjatë, sigurisht anëtarësimi në OKB”.

Media “Euractiv” të mërkurën ka publikuar në gjuhën angleze përmbajtjen e planit franko-gjerman me nëtë pika. Një përmbajtje e tillë sipas profesorit Arifi mund të mos jetë e plotë “me qëllim që të mos ketë reaksion nga ndonjëra palë”.

“Besoj se plani është shkruar me shumë kujdes dhe gjuhë e botëkuptim diplomatik që palët të mos irritohen nga formulimi i koncepteve vlerave bazë që janë aty dhe është e mundur që të gjitha pikat janë publikuar me qëllim që të mos ketë reaksion nga ndonjëra palë. Mendoj se plani origjinal është në tavolinën e dy shteteve”.

Ai shton se ky plan-propozim duhet të pranohet pasi ka edhe mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vetëm në këtë formë faktorizohet Kosova dhe në njëfarë mënyre fuqizohet subjektiviteti jonë në marrëdhëniet ndërkombëtare e ajo do të ishte njohja nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Kjo mendoj se do të ishte fitorja më e madhe që mund të arrijë Kosovë në një plan afatshkurtër apo afatmesëm”.

Njëjtë si Arifi mendon edhe njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi, i cili për Telegrafin deklaron se versioni që ka qarkulluar në medie i planit franko-gjerman, padyshim është i paplotë dhe si i tillë ofron vetëm një vështrim sipërfaqësor të asaj se çka mund të pritet prej një plani të tillë.

“Terminologjia e përdorur në këtë pikat e publikuara, atij i referohet si Traktat, dhe si i tillë, një Traktat nuk mund të jetë i plotë e i përmbledhur në vetëm një faqe e i përbërë nga vetëm nëntë nene”, .

Megjithatë, nga nëntë nenet e publikuara, Abrashi thotë se mund të vërehet se Kosova dhe Serbia trajtohen si plotësisht të barabarta – pra, si dy shtete, të cilat zotohen të mos e pengojnë njëra-tjetrën në perspektivën evropiane, e njohin integritetin territorial të njëra-tjetrës, i njohin kufijtë ekzistues e hapin misione permanente diplomatike ndërmjet vete.

“Edhe nëse në këtë Traktat njohja e ndërsjellë nuk thuhet shprehimisht, ajo që mund të vërehet qartë është në mënyrë de facto Kosova e Serbia e njohin njëra-tjetrën”, shprehet ai.