“Analfabetë”| Lekaj i reagon Kurtit: Falë diasporës je kryeministër, votat e tyre do të ndëshkojnë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pas deklaratës së djeshme nga kryeministri Albin Kurti se shkollat po prodhojnë analfabetë funksionalë.

“Duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale, ose punëtorë krahu në Gjermani”, ka deklaruar dje kryeministri.

Pal Lekaj ia ka quajtur të papranueshme këto deklarata.

“Fyerja e Kryeministrit ndaj Diasporës sonë është e papranueshme, dhe si i tillë ky epitet i dëmton tej mase ata. Si deputet i Republikës së Kosovës, nuk e pranoj assesi që një kryeministër t’i ofendojë në këtë mënyrë bashkatdhetarët tanë”, shkroi Lekaj.

“Kryeministër, fillimisht i mashtrove me polisën kufitare, për të cilën mandatin e parë u pagove, ndërsa këtë vit i detyrove të paguajnë, dhe nuk e largove siç pate premtuar”.

“Falë tyre je kryeministër, dhe besoj se votat e tyre do të ndëshkojnë”, përfundoi Lekaj.