Amnistia fiskale në Shqipëri, BE e shqetësuar për draftin aktual

Në një reagim për mediat, zyra e Bashkimit Evropian ka dhënë qëndrim në lidhje me amnistinë fiskale.

Sipas raportimeve, BE-ja ka ende shqetësime serioze për draftin aktual dhe se do të vijojnë konsultimet me qeverinë.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”, theksoi zyra e BE-së.

Kryeministri Edi Rama ftoi në një takim mëngjesin e sotëm ambasadorët e akredituar në vendin tonë, ku do të diskutonte për amnistinë fiskale, por në momentin e fundit vendosi që të mos jetë i pranishëm.

Në takimin informal, të zhvilluar tek “Vila 30” në kryeqytet, morën pjesë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Takimi nisi në orën 09:00 dhe zgjati për rreth 60 minuta, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e BE, SHBA dhe Britanisë së Madhe. /Telegrafi/