Amerikanëve u rekomandohen Kosova e Shqipëria si shtete ku mund të udhëtojnë, pavarësisht pandemisë

Gazeta e njohur amerikane “The New York Times”, ka publikuar një listë të shteteve të cilat qytetarët e SHBA’së mund t’i vizitojnë edhe në kohë të pandemisë. Në mesin e këtyre shteteve janë edhe Kosova e Shqipëria.

Në artikull thuhet se ndonëse në këto shtete ka kufizime kundër pandemisë, ato mund të vizitohen dhe qytetarët mund t’i kalojnë pushimet atje.

“Kosova është e hapur për vizitorë pa kufizime rreth Covid-19, ndonëse rekomandohet që udhëtarët të kenë test që dëshmon se kanë dalë negativë në katër ditët e fundit para ardhjes. Zyrtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës po kërkojnë që ata që vijnë apo largohen nga vendi të shoqërohen vetëm nga një person në mënyrë që të zvogëlohet tollovia.”, thuhet në këtë artikull për Kosovën.

Ndërkaq, sa i përket Shqipërisë, këtu thuhet se janë hapur hapësirat e ndryshme dhe ato mund të vizitohen tashmë pa kufizime.

“Shqipëria i rihapi kufijtë në pjesën e parë të qershorit me kontrolle të shtuara dhe masa të karantinës në fuqi. Sidoqoftë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit, Ambasada e ShBA-së në Shqipëri i ka pezulluar të gjitha shërbimet, përpos atyre emergjente. Deri në fund të qershorit, hapësirat e brendshme të bareve, restorantet dhe klubet e natës kanë qenë të mbyllura, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.”, shkruan në këtë artikull.

Përveç Kosovës e Shqipërisë, amerikanëve u rekomandohet të vizitojnë edhe shtete se Maqedonia Veriore, Kroacia, Turqia, Serbia, Britania e Madhe, Ukraina, Meksika dhe disa shtete të tjera më të vogla.

Kujtojmë se në Kosovë dhe Shqipëri javëve të fundit ka pasur shtim të theksuar të rasteve me koronavirus, por edhe të numrit të viktimave.

Madje, nga BE’ja janë cilësuar si dy vende me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit dhe qytetarëve nuk u preferohet t’i vizitojnë, teksa pas kthimit duhet të vetizolohen për dy javë.

Artikullin e plotë të gazetës amerikane mund ta lexoni duke klikuar KËTU