Amerikanët dhe evropianët harxhojnë rreth 100 euro në muaj për karburant, deputetët në Kosovë deri në mbi 400 euro

Gjatë kësaj jave është parë sesi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë mbi 30 mijë euro kompensime, duke i arsyetuar si shpenzime për udhëtimet e tyre për pjesëmarrje në seanca e komisione, pasi që vijnë nga komuna të tjera për në Prishtinë. Skandali u thellua edhe më shumë kur u vërejt se disa prej këtyre deputetëve jetojnë në kryeqytet, ndërsa të tjerë nuk posedojnë fare vetura. Qytetarët vazhdojnë të alarmojnë për rëndimin e gjendjes së tyre financiare, me inflacionin e madh të çmimeve, ndër to edhe çmimeve të naftës. Por, në vendet më të pasura të SHBA-së dhe Evropës, një qytetar i thjeshtë për një muaj harxhon mesatarisht mbi 100 euro për derivate të veturës.

Mbi 800 euro për dy muaj është shuma më e madhe që një deputet i Kuvendit të Kosovës i ka marrë nga shteti, duke i arsyetuar si shpenzime të udhëtimit. Ndërsa, mbi 50 për qind e përfaqësuesve të popullit që përfituan janë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Demokracia.com gjatë së enjtes ka raportuar se Yllza Hoti, deputete e partisë në pushtet, në nëntor e dhjetor të vtit 2021 mori 810 euro nga buxheti i shtetit, duke i arsyetuar si shpenzime të udhëtimit, anise ajo nuk ka deklaruar në posedim ndonjë veturë dhe jeton në Prishtinë.

Njëjtë edhe bashkëpartiaku i saj, deputeti Artan Abrashi ka marrë 680 euro si kompensim për dy muaj, por në Formularin e Pasurisë nuk ka deklaruar se posedon veturë.

Edhe 65 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës kanë përfituar nga paratë e shtetit, e shumat që i morën individualisht shkojnë nga 100 deri në 870 euro.

Demokracia.com me një kërkim të thjeshtë ka parë se në SHBA e Evropë qytetarët nuk paguajnë shumë për naftë, ani pse pagat janë shumëfish më të larta se në Kosovë.

Sipas një raporti të “Lease Plan”, të publikuar kohë më parë, një qytetar i shteteve anëtare të BE-së mesatarisht në muaj harxhon nga 67 euro deri në 100 euro për karburant të veturës.

Njëjtë edhe në SHBA, qytetarët nuk paguajnë shuma të lartë për çdo muaj për karburant.

Byroja e Statistikave të Punës, Agjenci e Administratës Amerikane, gjatë presidencës së Donald Trump kishte nxjerrë disa statistika se sa paguajnë amerikanët për derivate. Një qytetar amerikan në muaj i harxhon rreth 164 dollarë për karburant të veturës.

Në Kosovë nuk ekziston ndonjë statistikë që tregon sa është shuma që qytetarët e harxhojnë në muaj për derivate, megjithatë llogaritet që me 2-3 rezervuare arrijnë ta kalojnë shumica muajin.

Me rritjen e çmimeve të naftës dhe shumë produkteve të tjera, në vend nuk ka pasur edhe rritje të pagave, derisa qytetarët e kanë të vështirë t’i përballojnë ato./Demokracia.com/