Amerika i reagon ashpër Dodikut pasi e takoi Putinin në Moskë

Vendimi i Presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik për t’u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa Rusia në të njëjtën kohë shkel hapur themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodik për të veçuar Putinin, përfaqësojnë lëvizje shkurtpamëse që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të RS, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj rrugën e Dodikut e konsiderojmë kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”, tha zëdhënësi i qeverisë amerikane.

Duke komentuar takimin mes Dodikut dhe Putinit, Departamenti i Shtetit tha se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë në këtë moment, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

Dodik, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, tha në Moskë të martën se RS mbetet fort pro-ruse, anti-perëndimore dhe anti-amerikane.

Në bisedë me Putinin, ai tha se RS është e ekspozuar ndaj shumë presioneve nga Perëndimi për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.

“Ne nuk lejuam marrjen e një vendimi formal për sanksione ndaj Federatës Ruse dhe për këtë shkak ishim të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë në formën e sanksioneve dhe pezullimit të projekteve dhe programeve të caktuara. Por ne vendosëm të mos bëhemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik në takimin me Putinin.