Amerika e dënon Ymer Shahinin me 18 muaj burgim për mashtrim financiar

Prokurori amerikan i distriktit rajonal të New Yorkut, Geoffrey S. Berman, ka bërë të ditur sot se gjykatësi shtetëror, P. Kevin Castel, ka dënuar Ymer Shahinin me 18 muaj burgim në lidhje me rolin e tij në një skemë të mashtrimit me letra me vlerë dhe me transfere elektronike.

Shahini u deklarua fajtor për një pikë të aktakuzës për komplot për të kryer mashtrim me letra me vlerë në 10 shtator të vitit 2019.

Prokurori Berman tha se Shahini ka luajtur rol strategjik në një mashtrim multimilion-dollarësh.

“Ai me vetëdije dhe me dëshirë shërbeu si person mashtrues për të fshehur përfitimet pronësore të aksioneve, gjë që lehtësoi një skemë mashtrimi që kap dhjetëra miliona në fitime të paligjshme. Tani Shahini është dënuar me burgim për rolin e tij në këtë mashtrim masiv”, ka thënë Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

Ymer Shahini është ekstraduar në SHBA më 23 gusht të këtij viti, dhe ka qenë edhe shtetasi i parë i Kosovës që u ekstradua në këtë shtet pas nënshkrimit të marrëveshjes për ekstradim mes dy vendeve e cila ka hyrë në fuqi në muajin qershor të vitit 2019.

Pretendimet e aktakuzës

Nga viti 2009 deri më 2011, Ymer Shahini, bashkë me të pandehurit tjerë të këtij rasti, Jason Galanis, John Galanis, Derek Galanis, Gary Hirst dhe Gavin Hamels, u përfshinë në një skemë për të mashtruar aksionarët e një kompanie të tregtuar publikisht të quajtur “Gerova Financial Group, Ltd.” (“Gerova”), si dhe publikun investues, duke marrë nën kontroll fshehurazi miliona aksione të kompanisë, e më pas manipulimin e tregut të aksioneve pasi të pandehurit shitën aksionet e tyre të mbajtura në fshehtësi.

Si pjesë e skemës, të pandehurit duke mashtruar gjeneruan kërkesë për aksionet e “Gerova-s” duke u dhënë ryshfet këshilltarëve të investimeve për të blerë në llogari të klientëve aksionet e “Gerova-s” që shiteshin nga të pandehurit, e që për rrjedhojë u mundësonte të pandehurve të dilnin nga skema dhe të përfitonin miliona dollarë përfitime ilegale.

Si pjesë e skemës për të mashtruar, Jason Galanis mori nën kontroll “Gerova-n” aq sa i duhej për ta futur kompaninë në transaksione sipas dëshirës së tij, dhe për përfitime personale, përfshirë edhe lëshimin e aksioneve të “Gerova-s”. Jason Galanis e mori këtë kontroll pa u identifikuar si oficer apo drejtor i “Gerova-s” për t’iu shmangur ndalesës që i ishte bërë atij nga mbajtja e pozitave të tilla në kompani të tregtuara publikisht. Në mesin e mënyrave dhe metodave tjera, Jason Galanis, me asistencën e Gary Hirst, bënë shitjen e mbi 5,000,000 aksioneve të “Gerova-s”, të cilat ishin pothuajse gjysma e vlerës publike të kompanisë e të cilat për destinacion përfundimtar kishin Jason Galanisin, por të cilat do të lëshoheshin dhe mbaheshin me emrin e Ymer Shahinit, i cili me vetëdije shërbeu si i emëruari i huaj për Jason Galanisin, përcjell Koha.net.

Në të njëjtën kohë, dhe si pjesë shtesë e skemës për mashtrim, John Galanis dhe Derek Galanis, në mes tjerëve, me dijeninë dhe miratimin e Ymer Shahinit dhe Jason Galanisit, hapën dhe menaxhuan llogari bankare me emrin e Shahinit (“Llogaritë SHAHINI”), duke realizuar shitjen e aksioneve të “Gerova-s” nga Llogaritë SHAHINI, dhe duke pranuar dhe mbyllur të ardhurat, gjithmonë me vetëdije sepse kjo veprimtari ishte krijuar për të fshehur pronësinë e Jason Galanisit nga publiku investues.

Sipas aktakuzës, Jason Galanis me bashkëpunëtorët, kanë përfituar jashtëligjshëm gati 20 milionë dollarë.