Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë pas deklarimeve në Skënderaj se “Zvicra po ndërton ujësjellës në Kosovë, ndërsa ju po i paguani veteranët e rrejshëm”.
E gjithë kjo ka marrë një dimension të ri pasi njeriu i kryeministrit Haradinaj, Pal Lekaj, tha se po të kishte kompetenca do ta dëbonte në diplomatin zviceran. Por, një diplomat tjetër kishte qenë edhe më i ashpër ndaj politikanëve.
Bëhet fjalë për ish – ambasadorin e Kroacisë në Kosovë Zlatko Kramariq i cili në vitin 2010 kishte trazuar politikën kosovare duke thënë se ata vendin e trajtojnë si një “lopë qumështi”.
“Shumë prej akterëve të jetës publike dhe politike kanë shndërruar shtetin në lopë qumështi dhe sillen sipas parimit: merr gjithçka që të ofron jeta! Tash dhe këtu. Tash ose kurrë!”, ishte shprehur Kramariq, në artikullin e tij “Letër nga Kosova”, që në gazetën kroate është titulluar “Nuk ka dallim mes europianëve dhe ballkanasve”.
Por, ai nuk ishte ndalë me kaq.
Zlatko Kramariq kishte vazhduar përshkrimin e tij për Kosovën dhe udhëheqësit e saj duke shkruar se “dëshira për shtetin ende nuk ka kuptimin e asaj që ata që kanë marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të udhëheqin drejt dhe suksesshëm me shtetin” dhe se “askush nuk ka asgjë kundër privilegjeve dhe jetës së lehtë”.







