Petrit Malaj

Ambasadori i Shqipërisë bën homazhe në Prekaz dhe viziton familjen e ish-presidentit Rugova

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka bërë homazhe në Prekaz, si dhe ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ambasadori Malaj ka shprehur respekt për pritjen që i është bërë nga familja Jashari në Prekaz.

“Në vijim të agjendës, ditën e djeshme bëra homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Prekaz, ku përzemërsisht vendosa një kurorë me lule në shenjë respekti për gjakun e derdhur nga familja Jashari për lirinë e Kosovës, liri që gëzojnë pasardhësit e tyre sot, si dhe vizitova familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, ku u prita dhe u ndjeva shumë i respektuar nga kryefamiljari z. Rifat Jashari. Mirënjohje dhe faleminderit për mikpritjen baca Rifat!”, ka shkruar Malaj në Facebook.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme ai ka qëndruar në familjen e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Ambasadori shqiptar ka shkruar se familja Rugova mbetet mike e çmuar e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.

“Sot vizitova familjen e Presidentit të parë të Kosovës, Z.Ibrahim Rugova , i shoqëruar nga bashkëshortja ime dhe stafi diplomatik i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Me nderim e respekt të thellë për figurën dhe kontributin historik të Dr. Ibrahim Rugovës, i shpreha bashkëshortes së Presidentit dhe djemve të tij vlerësimin maksimal për vizionin, qëndresën, bashkëpunimin e tolerancën që karakterizonte këtë burrë shteti”, ka shkruar ambasadori Malaj.