Ambasadori i Rusisë

Ambasadori i Rusisë në BE: Luftërat në Evropë rrallë fillojnë të mërkurën

Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov i ka hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA-së për një sulm të mundshëm rus në Ukrainë të mërkurën. “Për sa i përket Rusisë, ju siguroj se nuk do të ketë sulme këtë të mërkurë. Nuk do të ketë përshkallëzime të mëtejshme në javën e ardhshme, ose javën pas saj, ose muajin tjetër”, tha Chizhov për të përditshmen gjermane Die Welt.

“Luftërat në Evropë rrallë fillojnë të mërkurën”, shtoi ai. Qeveria amerikane ka thënë se e konsideron të mundshëm një sulm rus në Ukrainë para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë të dielën, përcjell Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s akuzojnë Rusinë për përgatitjen e një sulmi të ri ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ndërsa Rusia i mohon këto akuza.

Kremlini po kërkon që NATO t’i kufizojë të gjitha aktivitetet në Evropën Lindore dhe të zotohet të mos i pranojë në përbërje ish-republikat sovjetike – si Ukraina. Moska kërkon gjithashtu ndalimin e vendosjes së sistemeve të armëve, duke përfshirë sistemin amerikan antiraketë, pranë kufijve të Rusisë.