Ambasadori i Qipros në Beograd: Nuk e njohim Kosovën, por duhet të përmirësojmë marrëdhëniet

“Jemi konsistentë dhe parimorë në mosnjohjen e Kosovës”, ka thënë ambasadori në largim i Qipros në Beograd, Dimitros Teofilaktu në një intervistë dhënë për “Politika”-n e Beogradit.

Diplomati qipriot thirret në leximin e tij të së drejtës ndërkombëtare pavarësisht asaj se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010 – si instanca më e lartë e interpretimit të së drejtës – pavarësinë e Kosovës e ka vlerësuar si plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë e përmirësimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve kosovaro-qipriote.

“Qiproja respekton integritetin territorial të Serbisë, njëjtë siç respekton edhe integritetin territorial të të gjitha gvendeve. Pozicioni ynë në mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent, dhe atë jo vetëm sepse edhe ne kemi problem të njëjtë. Në mënyrë që të jemi kredibil, duhet të jemi të udhëzuar nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë ambasadori qipriot.

Marrëdhëniet serbo-qipriote ambasadori i vlerësoi si të shumështresëshme dhe tradicionalisht të forta. “Sa i përket ngjarjeve aktuale ndërmjet Qipros dhe Kosovës, neve na duhet të mbështesim njëri tjetrin përzemërsisht, derisa hapim zona të reja për përmirësim të mëtejmë të marrëdhënieve”, ka thënë ai, përcjell Nacionale

Në përputhje me politikat e unionit evropian, Qiproja e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, tha ai, por se vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e të gjitha dispozitave në lidhje me Asociacionin e Komunave (të banuara me shumicë) Serbe, sepse “ato janë politikat kyçe të Beogradit në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit”.

Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, kohëve të fundit ka pretenduar se ka marrë “siguri të mëdha” nga bashkëbiseduesit e tij qipriot, se po qe se edhe katër vendet tjera të unionit do të ndërronin qëndrim karshi mëvetësisë së shtetit të Kosovës, Qiproja nuk do ta bënte këtë. Megjithatë, një absolutizëm i tillë, nuk është thënë nga ndonjë zyrtar i Qipros.