Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, u prit nga kryetari i Çairit Visar Ganiu

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, sot qëndroi për vizitë në komunën e Çairit, me ç’rast kryetari i Komunës Visar Ganiu i dëshiroi mirëseardhje, duke i uruar mbarësi në misionin e tij për të ruajtur frymën e bashkëpunimit institucional mes njësive të pushtetit lokal të të dy shteteve, njoftoi shërbimi për informim i Komunës.

“Bashkëbiseduesit realizuan një takim shumë premtues pune për hapat e ardhshëm të një funksionimi që tejkalon konceptin e vjetruar të kufijve, e që zgjeron horizontin e mundësive për të qenë në shërbim sa më efikas të qytetarëve tanë.
Nga ky pikësynim, Ganiu dhe Dedaj shqyrtuan mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me komunat e Republikës së Kosovës, pasi shkëmbimi i përvojave profesionale dhe mekanizmave veprues do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve që përfaqësojmë.

Ambasadori Dedaj premtoi gatishmëri të plotë për të qenë personalisht urë lidhëse e marrëdhënieve të mira ndërkomunale që synojmë t’i krijojmë dhe për këtë kreu i Çairit Ganiu e falënderoi përzemërsisht duke i dhuruar një dhuratë simbolike, emblemën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për të shënuar kështu fillimin e një miqësie të re me shumë perspektivë profesionale”, thuhet në komunikatën e Komunës pas takimit.