Ambasadori i BE’së: Marrëveshja finale duhet të mbyll të gjitha çështjet mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se marrëveshja finale duhet të mbyll të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Szunyog dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet me një synim, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe për mbylljen e çështjeve të hapura mes të dyja vendeve.

“Ka dialog që jo vetëm që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, por është mandatuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Dhe ato zotime të njëanshme, kisha me thënë disa prej tyre janë pozitive edhe mund të jenë në dobi të dialogut, në disa mënyra. Por, janë disa të cilat nuk lidhen me dialogun apo me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, apo Kosovë-BE. Ka elemente pozitive dhe elemente të tjera. BE dhe ShBA po punojnë shumë ngushtë për të garantuar stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë regjionit”, tha ai në një diskutim me studentët e Fakultetit Juridik.

Ambasadori i BE’së në Kosovë, thekson se synimi i dialogut në Bruksel është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të normalizonte marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Dialogu zhvillohet me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe kjo marrëveshje duhet të mbyll të gjitha çështjet e hapura ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Szunyoug.