Ambasadori Hill kritikoi Kurtin, Tahiri: Kjo nuk është mirë për Kosovën

Ish-kryenegociatorja kosovare në dialogun ndaj Serbisë, Edita Tahiri ka komentuar një deklaratë të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili të martën u shpreh se kryeministri Albin Kurti nuk ishte përgatitur mirë për bisedimet e Brukselit për dallim nga kundërshtari i tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas Tahirit, kjo nuk është mirë për Kosovën.“Qeveria ka detyre ti dal zot vendit e pergatitur mire per cdo sfide”, shkroi ajo në një postim në Facebookun e saj.Megjithatë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.

Gjatë një interviste për median në Beograd, N1, Hill tha se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.