Ambasadori gjerman i prerë: Absurde të rrezikosh konfrontim për targat në kohë lufte në Ukrainë

Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Kosovë, ka kërkuar që urgjentisht të krijohet vullneti politik për deeskalim të situatës aktuale në vend.

Rohde, në postimin e tij në Twitter, ka thënë se duhet të ketë edhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit.

Ai ka shtuar se është absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për çështjen e targave, kur ndërkohë, Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës, ku viktimat tashmë janë të panumërta.

“Nevojitet urgjentisht vullneti politik për deskalim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka thënë Rohde.

Duhet kujtuar që, kërkesën ndaj qeverisë për shtyrje të vendimit për targat, ia ka parashtruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç SHBA-ve, edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar të njëjtën gjë nga qeveria. Megjithatë, kjo kërkesë e SHBA-së dhe BE-së është injoruar nga ana e qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti.