Ambasadori francez injoroi pritjen shtetërore për Ditën e Çlirimit, foli me Duda Baljen për komunitetin LGBTIQ+

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, është takuar me deputeten e Kuvendit të Kosovës, që drejton Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Duda Baljen.

Ai në një postim në rrjetin social “Twitter” ka njoftuar se në këtë takim kanë folur për komunitetin LGBTIQ+. Mirëpo, ambasadori Guerot nuk mori pjesë në ceremoninë shtetërore për Ditën e Çlirimit, të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Kjo ceremoni është bojkotuar nga të gjithë ambasadorët e QUINT-it dhe opozita.

Nga Presidenca nuk kanë treguar pse munguan ambasadorët e QUINT-it në këtë ngjarje të rëndësishme. Por, pa u lëshuar në detaje, prej kabinetit të Osmanit i thanë Paparacit se diplomatët ndodhen jashtë vendit, pavarësisht faktit që edhe dy të tjerë më herët u shfaqen në zyrën e Osmanit.