Ambasadori britanik viziton Bekim Gashin që ka të zhdukur nënën dhe katër motrat

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurëve me Dhunë, ka vizituar Bekim Gashin i cili ka humbur nënën dhe katër motrat e tij në masakrën në Tërnje të Suharekës.

Ambasadori Abbot ka thënë se Bekimi dhe të tjerë si ai meritojnë drejtësi.

Ai ka bërë thirrje që Kosova e Serbia të punojnë për çështjen e të pagjeturve.

“Për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë, e vizitova Bekim Gashin në Suharekë. Në masakrën e Tërnjes, në mars të vitit 1999, Bekimi i humbi nënën dhe katër motrat, si dhe pjesëtarë të tjerë të familjes e miq që ende janë të zhdukur. Bekimi dhe të tjerët si ai meritojnë drejtësi, por më e rëndësishmja, meritojnë që të dashurit e tyre të kthehen dhe të prehen me dinjitet. Unë përsëri u bëj thirrje të dyja palëve që të punojnë së bashku për të sjellë lehtësim për viktimat dhe familjet e tyre.”, ka shkruar ai në Facebook.