Ambasadori britanik publikon fotografi me Isa Mustafën, tregon arsyet e vizitës në LDK
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka folur për vizitën që ka realizuar sot në zyret e LDK-së, pak para mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.
Abbott në Facebook ka publikuar një fotografi me kryetarin e dorëhequr të LDK-së, Isa Mustafa, teksa ka folur edhe për arsyet e vizitës së tij aty.
Ai ka thënë se përveç me Mustafën, është takuar edhe më nënkryetarin Lutfi Haziri, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, si dhe përspektivat e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Këtë pasdite takova Isa Mustafën dhe Lutfi Hazirin. Diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve dhe përspektivat e ardhshme të LDK-së”, ka shkruar Abbott.
Ndryshe, në takimin e sotëm të Kryesisë në dorëheqje të LDK-së, pritet të diskutohet për datën e mundshme të mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të kësaj partie.