Ambasadori Berishaj mund t’i vuajë tri vite burg vetëm për deklarim të rrejshëm në komision hetimor

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, përgjatë intervistimit të tij në Komisionit Hetimor për Energji, pati deklaruar se përgjatë vitit 2021 dhe 2022 nuk ka realizuar asnjë transaksion gjatë kohës sa ishte i emëruar si ambasador. Megjithatë, hulumtimet e ditëve të fundit që e implikojnë Berishajn me mafian energjetike të Ballkanit, tregojnë tërheqje transaksionesh prej mbi gjysmë milionë eurosh gjatë periudhës sa ka shërbyer si ambasador, të cilat nuk janë raportuar në komision nga ana e Berishajt. Kjo mund t’i kushtojë me ndjekje penale të besuarit të Kurtit në Kroaci.

“Unë GEN-in e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes së energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe, GEN është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, pati thënë Berishaj para deputetëve.

Sipas hulumtimit të Insajderit, është zbuluar se të hyrat e Berishajt nga GEN kanë arritur kulmin pikërisht në vitin 2021, kur ai deklaron nën betim se “pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”.

Në xhirollogarinë e biznesit të ambasadorit, sipas këtij hulumtimi, atë vit ishin transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro. Derisa një vit më vonë janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, më saktësisht pikës një të nenit 383, “Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, shkruan Demokracia.com.

Çështja e deklarimit të rrejshëm në komisionin hetimor nga ana e të besuarit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është ngritur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetarja e këtij subjekti politik, nëpërmjet një konference për media të mërkurën e ka ritheksuar deklarimin e rrejshëm nën betim si vepër penale.

“Ambasadori Berishaj në komisionin hetimor duket se ka dhënë deklarata të rrejshme dhe kjo në vetvete është vepër penale. Sipas këtyre të dhënave në llogarinë e zotit Berishaj kompania GEN ka hedhur hiç më pak se 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat zoti Berishaj nuk i ka raportuar në komisionin parlamentar hetimor. Paralelisht me këto të dhëna që flasin shumë, se këtu kemi të bëjmë me një përpjekje të organizuar për të fshehur gjurmë, dje pati shkrime edhe në mediat e huaja se kompania GEN në kuadër të shpëlarjes së parave përmes kontabilitetit fiktiv kishte financuar edhe fushata politike duke përmendur këtu mes tjerash fushatën zgjedhore të kryeministrit Albin Kurti, ku për koeçidencë periudha kur mendohet se GEN ka financuar këto fushata përfshin periudhën kur zoti Berishaj kishte tërhequr mjetet e deponuara nga GEN-i në llogarinë e tij”, tha ndër të tjera Çitaku.

Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe gazetari Parim Olluri, i cili mbrëmë në ‘Pressing’ ka deklaruar se deklarimi i rrejshëm nën betim përbën bazë hetimore për prokurorinë.

“Z. Berishaj kur ka raportu para komisionit hetimor parlamentar, ka gënjy publikisht kura ka folë për këto transaksione, për shkak që ka thanë se në vitin 2021-2022 nuk kam marrë asnjë cent prej kësaj kompanie, për shkak që jam emëru ambasador dhe nuk kam punë më me ta. E vërteta është që i ka marrë mbi gjysmë milion euro në këtë periudhë. Në komision hetimor parlamentar nën betim, që çdo gjë që e thu si i intervistuar aty është e vërtetë dhe mban përgjegjësi penale. Unë mendoj që Prokuroria mundet që z. Berishajn me e ndjekë edhe për shkeljen e deklaratës nën betim”, ka thënë ai.

Ambasadori Berishaj, sipas Paparacit, po hetohet për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.