Ambasadori i SHBA në Serbi, Kyle Scott, është deklaruar kundër taksës së vënë nga Kosova ndaj produkteve të importuara nga Serbia.
Scott gjithashtu ka folur edhe për marrëveshjet e arritura mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ditën e sotme në Pejë, duke thënë se shteti amerikan do t’i mbështet gjithmonë arritjet e dy shteteve, shkruan Ballkani.info.
Scott tha për gazetarët në Beograd se ajo që vlen për popullsinë shqiptare në Kosovë, duhet të vlejë edhe për serbët dhe për të gjitha pakicat etnike.
“Besoj se Kosova duhet të jetë shtet demokratik multientik”, tha Scott, raportojnë mediat serbe.
Në lidhje me zotimet që bënë të hënën Kosova dhe Shqipëria për heqjen e taksave, romingut dhe unifikimin e doganave, Scott tha se SHBA-ja mbështet çdo aktivitet rreth integrimit ekonomik të rajonit.
“Të gjitha vendet janë duke u përballur me problem të njëjta, por nuk po e shohin të ardhmen askund. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve në mënyrë që të përafrohen sa më shumë drejt BE’së”, ka thënë ai.
Kujtojmë se javën e kaluar, Qeveria aktuale e Kosovës, morri vendim për të vendosur taksë 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Ky vendim nuk u prit mirë nga disa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, të cilët kërkuan largimin e kësaj takse.
Institucionet kosovare kanë bërë të ditur se vendimi për taksën ka qenë politik për shkak që këto dy shtete nuk njohin Kosovën si shtet dhe vazhdojnë ta luftojnë atë në arenën ndërkombëtare. /Ballkani.info/







