Ambasadorët e QUNTIT: KQZ-ja në Kosovë ta kryejë punën pa ndërhyrje

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha në një konferencë shtypi, se ndjehet e kërcënuar në punën e saj prej disa partive politike. Kjo pasi disa kandidatë që kanë problem me ligjin nuk do të mund të certifikohen nga KQZ.

Disa ambasadorë të vendeve më të industrializuara QUINT, bënë thirrje që certifikimi i kandidatëve është i përcaktuar me ligj dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ta kryejë punën pa ndërhyrje. Ky reagim erdhi pasi disa parti politike filluan të akuzojnë KQZ për anshmëri, pasi në listat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjendet emrat e të paktën 47 kandidatëve për deputetë, që nuk do të mund certifikohen e të konkurrojnë në zgjedhje për shkak se janë të dënuar për vepër penale. Në një konferencë për medie, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se akuzat ndaj saj dhe institucionit që ajo drejton janë të papranueshme dhe të rrezikshme.  Sipas saj, KQZ është duke punuar maksimalisht që t’i kryej detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.

Daka: Do t’i zbatoj gërmë për gërmë ligjet

“Akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën time personale janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit që unë e drejtoj. Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedenta dhe të rrezikshme”, u shpreh Daka. Ajo theksoi se “të gjithë kandidatët që e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u them shkurt, shqip dhe qartë se është Ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin e jo unë”, tha Valdete Daka. Sipas saj, ligjet i kanë votuar deputetët dhe se ajo “nuk i ka shkruar e as votuar këto ligje”, por do t’i zbatoj gërmë për gërmë ato.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike”, tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.Image

Reagimi i ambasadorëve të SHBA e Gjermanisë

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadorëve të dy vendeve më të zhvilluara që kanë investuar shumë në Kosovë, SHBA-së dhe Gjermanisë. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde shkruan në twitter se “certifikimi i kandidatëve është i përcaktuar me ligj dhe KQZ ta kryejë punën pa ndërhyrje”. Rohde pret nga institucionet e Kosovës që të organizojnë zgjedhje të besueshme dhe transparente në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.

“Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në vazhdim. Këto procedura përcaktohen me ligj dhe përfshijnë edhe mundësi ankese”, shkroi ambasadori Rohde, duke theksuar se “të gjitha palët duhet të respektojnë trajtimin e barabartë dhe rregullat e udhëzimet përkatëse, të cilat garantojnë zgjedhje të drejta dhe transparente”. “Është e rëndësishme që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse gjyqësore të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, shkruan  Rohde në Twitter.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett u bëri thirrje të gjithë kandidatëve që nuk janë certifikuar që të respektojnë vendimet e gjyqësorit. “Komenti im për këtë është se mendoj për të gjithë ata që nuk janë certifikuar, të gjithë kandidatët potencialë që nuk janë certifikuar, ekziston procesi i ankesës. Ka proces gjyqësor dhe duhet ta respektojmë atë. Ambasada, qeveria ime shpesh ka marrë qëndrimin që është e domosdoshme, është e rëndësishme të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë ambasadori Philip Kosnett.Image

Dilema pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme, deklaroi  zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi. Nga 1080 kandidatët për deputet, 47 prej tyre janë në listat që kanë probleme me ligjin.

Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi qeverinë Hoti dhe mundësoi shpërndarjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, në mediet e Kosovës u ngrit dilema nëse në këto zgjedhje do të mund të hyjë në garër kryetari i Vetëvendosje Albin Kurti dhe disa zyrtarë të lartë të kësaj partie. Këta janë të  dënuar me një vendim të prerë të Gjykatës për shkak se kanë hedhur gaz lotësjellës në parlament në vitin 2015. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet, se çdokush që ka një vendim për një vepër penale në tri vitet e fundit, përjashtohet nga mundësia për kandidim.

Vet Albin Kurti tha, se ai do të vazhdojë t’i prijë listës së Vetëvendosjes si kandidat për kryeministër dhe se ajo listë që është dorëzuar në KQZ dhe si bartës i listës ai do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën. “Mendoj se Institucionet e shtetit duhet të updatohen në rrethana të reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto të cilat kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Unë jam bartës liste i cili i respekton dhe përfill me përpikëri kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtën ne të gjithëve dhe secilit prej nesh”, tha Albin Kurti.

Sidoqoftë, fjalën e fundit se kush ka të drejtë apo jo të kandidojë në këto zgjedhje do ta thotë KQZ, ndërkaq, ata që nuk certifikohen nga KQZ, kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme. Për  zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike,  2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur./DW/