Ambasada ruse në Tiranë: Pala shqiptare nuk na ka njoftuar zyrtarisht për incidentin e Gramshit, duam takim me “agjentët”

Ambasada Ruse në Shqipëri përgënjeshtron autoritetet shqiptare që pretendojnë se kanë njoftuar zyrtarisht palën ruse për incidentin e 20 gushtit në Gramsh.

Në një komunikim via ‘e-mail’ me Dosja, dy ditë pas incidentit, Ambasada sqaron se informacionin e kanë marrë nga mediat dhe se i kanë dërguar edhe një note Ministrisë sonë të Jashtme, ku i kërkojnë takim me të ndaluarit.

Emaili i Ambasadës Ruse për Dosja.al:

“Ambasada e Rusisë në Shqipëri nuk ka marrë ende asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht 2022 në objektin ushtarak në qytetin e Gramshit. Misioni diplomatik informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat. Në lidhje me këtë, Ambasada i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”.

Ky qëndrim i Ambasadës hedh poshtë deklaratën e autoriteteve shqiptare që deklarojnë se kanë njoftuar palën ruse.

Por çfarë ndodhi më 20 gusht?

Incidenti që la të lënduar dy ushtarë shqiptarë ndodhi më 20 gusht. Ishte roja i Uzinës së armëve në Gramsh, ai që ka vënë re i pari lëvizjet e dyshimta rreth objektit. Ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë foto. Si përgjegjësi ashtu edhe efektivi që ruan objektin kanë zbatuar rregulloren dhe i kanë bërë thirrje personit që po bënë foto që të ndalonte. Ata i kanë bërë thirrje, por, personi në fjalë është kundërpërgjigjur me spraj neoparalizues.

Pavarësisht sulmit, ushtarakët Albi Bici dhe Ardian Xhaka kanë arritur që ta ndalojnë 24-vjeçarin Mikhail Zorin. Ushtarët shqiptarë nuk janë ndalur me kaq. Ata kanë parë mjetin “Chevrolet”, Brenda të cilit ndodhej rusja Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç, 25 vjec. Dy ushtarakët janë në gjendje të mirë shëndetësore.