shba

Ambasada publikon pamjet e përgatitjeve finale për festën e pavarësisë, himni do të intonohet nga Alma Bektashi dhe Hovenier

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka nisur përgatitjet për ceremoninë që do mbahet sot në Prishtinë, për nder të 248-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

Në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook janë publikuar pamjet ku shihen ekipet teksa kryejnë përgatitjet e fundit për festën.

“I gjithë ekipi jonë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë po punon bashkë për t’u përgatitur për festën e Ditës së Pavarësisë”, thuhet në postimin e ambasadës.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Gazeta Online Reporteri.net raportoi sipas burimeve të saj se këngëtarja, Alma Bektashi, do të performojë himnin amerikan së bashku me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Këngëtarja Bektashi është zë i moçëm në muzikën kosovare. Ajo është pjesëmarrëse e shumë Festivaleve, duke përfshirë edhe ato në RTSH.

Në datën e njëjtë, 4 korrik, por të vitit 2014, Kosovas Philanthropists publikoi videoklipin “Hand To Hand” që e këndoi vet Bektashi.

Në fund të vitit 2011 ajo u përzgjodh për të qenë pjesë e jurisë profesionale e “The Voice of Albania”.

Data zyrtare e Pavarësisë së Amerikës është 4 korriku.

Kjo datë, është festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përkujton Deklaratën e Pavarësisë, e cila u ratifikua nga Kongresi i Dytë Kontinental më 4 korrik 1776, duke krijuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.