Ambasada interesohet për kthimin e mitrovicases nga Italia vetëm pasi rasti u bë mediatik

Erza Kusari, 22-vjeçarja nga Komuna e Mitrovicës e cila ka mbetur e vetmuar në Itali gjatë pandemisë, ishte injoruar për muaj të tërë nga Ambasada e Kosovës në Itali kur kishte kërkuar ndihmë për kthim në atdhe.

Erza pranoi telefonatë nga kjo ambasadë, vetëm kur postimi i saj në Facebook, përmes të cilit tregonte gjendjene saj emocionale dhe financiare gjatë kësaj kohe dhe arrogancën e punonjësve të Ambasadës së Kosovës në Itali, u bë mediatik.

Erza thotë se me ambasadën ka folur kryesisht rreth kthimit të saj në Kosovë, për të cilën thotë se ia kanë përmendur muajin maj, por ende jo një datë të saktë.

“Po më kanë telefonu një herë ambasada, por s’kam mundur ta hap se s’kam pasë qasje. Pastaj, më kanë shkruar në Facebook, kryesisht rreth organizimit të fluturimit Itali-Kosovë, gjatë muajit maj. Më thanë se janë duke e pritur autorizimin e autoriteteve përgjegjëse në Prishtinë, për ta organizuar fluturimin Itali-Kosovë”, tha ajo.

Ani pse, gjatë ditës së djeshme Erza tregoi se është në gjendje të keqe emocionale dhe financiare, ajo thotë se nuk ka pranuar asnjë ndihmë nga amabasada, qoftë mjete financiare ose trajtim për gjendjen e saj emocionale.

“Jo, vetëm kanë kërku falje për vështirësitë në komunikim dhe se jam pjesë e listës për kthim në atdhe dhe do të më infromojnë sapo të organizohet nisja”, tregoi ajo.

Gjatë ditës së djeshme, Erza bëri të ditur se ka pranuar telefonatë edhe nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blera Deliu – Kodra, e cila thotë se e ka pyetur për gjendjen e saj dhe ka shprehur dëshirë që të bisedojë me insitucionet që t’ia mundësojë Erzës kthimin në Kosovë.

Për momentin, 22-vjeçarja thotë se është mirë dhe se po pret që sot të paktën Ambasada ta informojë për detajet e fluturimit, pasi mezi pret të kthehet në Kosovë.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Ambasadës së Kosovës në Itali dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, lidhur me këtë rast, por deri në rastin e publikimit të këtij artikulli, asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.