Ambasada e SHBA-ve, partive politike – Është “obligim” të respektohet vendimi i kushtetueses

Brenda këtyre ditëve Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të japë një vendim në lidhje me dekretimin e Avdullah Hotit nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretimin e Avdullah Hotit nga ana e presidentit Hashim Thaçi, për të vërtetuar nëse presidenti ka bërë shkelje kushtetuese apo jo.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri nesër duhet të kthejë një përgjigje në lidhje me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje mirëpo, një gjë e tillë akoma nuk është bërë.

Në anën tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se të gjitha partitë politike në vend duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se çfarë do të jetë ai.

Sipas ambasadës, respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është opsion, por është çështje kyçe për demokracinë kosovare.

“Ashtu siç edhe ka nënvizuar me parë ambasada, ne besojmë se është kyçe për demokracinë kosovare që të gjitha partitë dhe institucionet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane dhënë për lajmi.net.

Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese dekretimin e presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin si mandatar për qeverinë e re, me pretendimin se Thaçi ka bërë shkelje të qëllimshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje komentet rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër, e kishte bërë më 8 maj, ditën kur Thaçi e kishte bërë dekretimin e Hotit.