Ambasada e Kosovës në Gjermani: Deri më tani, nuk ka asnjë kosovar të prekur me koronavirus

Virusi vdekjeprurës është kthyer në shqetësim global.

Virusi “Korona”, ka prekur rreth 80 mijë persona në mbarë botën dhe rreth 2 mijë e 500 kanë vdekur deri më tani nga ky virus.

Koronavirusi ka arritur edhe në vendet e Evropës, në vendet ku edhe shumë kosovarë jetojnë e veprojnë.

Vetëm në Gjermani janë regjistruar 19 raste të prekura nga koronavirusi.

Lajmi.net, ka kontaktuar me ambasadën e Kosovës në Gjermani.

Nga ambasada kosovare kanë bërë të ditur se si ambasadë janë të gatshëm për të njoftuar për çdo rast, por që sipas tyre, deri më tani në bazë të informatave zyrtare që kanë nga Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë, asnjë kosovar nuk është i prekur nga ky virus.

“Si Ambasadë e RKS jemi në gjendje gatishmërie për të njoftuar për çdo rast. Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë merret me këtë çështje intensivisht dhe ka hapur linjat e komunikimit për të gjithë shtetasit e saj dhe misionet në këtë vend. Tash për tash nuk ka të dhëna për të prekur nga ky Virus me shtetësi nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Kosovës në Gjermani dhënë për lajmi.net.

Po ashtu kjo ambasadë ka bërë të ditur se 19 personat e prekur nga koronavirusi në Gjermani, shumica prej tyre tashmë kanë pasur trajtim dhe janë liruar.