Sulmuesi anësor i Manchester United, Amad Diallo beson se bashkëlojtari i tij, Kobbie Mainoo do të arrijë të bëhet një nga lojtarët më të mirë të klubit.

Mainoo veçse po llogaritet si një lojtar kyç për Manchester United dhe Anglinë, pas shpërthimit të tij në skenë sezonin e kaluar, në moshën 19-vjeçare.

Mesfushori tashmë e ka një trofe të fituar në karrierën e tij, duke fituar FA Cup, madje duke shënuar në finale ndaj Manchester Cityt.

Mainoo është pjesë e një grupi lojtarësh të rinj që kanë shpërthyer te Manchester United, si Amad Diallo, Alejandro Garnacho e Rasmuj Hojlund, derisa i pari mendon se ylli anglez në rritje do të arrijë nivelin e lojtarëve më të mirë në histori të klubit.

Marrë parasysh nivelin e lojtarëve që kanë luajtur në historinë e këtij klubi, këtë mund ta quajmë goxha një kompliment për mesfushorin adoleshent të “Djajve të Kuq”.

“Të folurit për Mainoo është si të folësh për një legjend. Në moshën e tij, ai është tejet i mirë, është një lojtar i jashtëzakonshëm. Unë mendoj se ai do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në histori të United”, tha Diallo për “Sky Sports”.

Manchester United shpreson se Mainoo dhe lojtarët e tjerë të rinj të arrijnë lavdinë këtë sezon.

Skuadra e Erik ten Hag s’e ka nisur mirë këtë edicion të garave, derisa këtë të diele do të luajë ndaj Tottenhamit.