Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Altin Krasniqi, njëherësh djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka falënderuar Presidenten Justina Shiroka-Pula për vizitën që i bëri familjes së tij, transmeton IndeksOnline.
Krasniqi ka theksuar se kjo vizitë ka rëndësi të veçantë, pasi, sipas tij, është hera e parë në gjashtë vjet që familja vizitohet nga një përfaqësues i lartë shtetëror.
“E falënderojmë Presidenten për vizitën. Është vizita e parë e një përfaqësuesi të shtetit që na ka vizituar në këto gjashtë vjet. Kështu që është e një rëndësie të veçantë edhe për familjen, që institucionet janë të gatshme të kontribuojnë për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se Presidentja ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar brenda kompetencave dhe kornizave ligjore.
“Presidentja ka thënë se çdo gjë që është brenda kornizave ligjore do ta ndihmojë, përfshirë procesin e apelit dhe nënshkrimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Krasniqi.
Vizita e Presidentes në familjen Krasniqi ishte pjesë e takimeve të saj me familjarët e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.







