Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka thënë se transferimi i Cristiano Ronaldos është bërë pikërisht për ndikimin që ka ylli portugez në arritjen e trofeve, derisa “Zonja e Vjetër” e fitoi mbrëmë Super Kupën e Italisë pasi që e mposhti Milanin 1-0 me golin e Ronaldos.

Ky ishte trofeu i parë me “Bianconerët” për 5 herë fituesin e Topit të Artë, prej transferimit të verës së kaluar nga Real Madridi.

Allegri lavdëroi paraqitjen e të besurave të tij në përgjithësi me theks të veçantë të Cristiano Ronaldos, ndërsa shtoi se skuadra e tij ka mundur të jetë më cinike.

“Ne nënshkruam me Ronaldon sepse ai është vendimtar me golat e rëndësishëm që shënon. Ai lëvizi mirë te momenti i golit por e gjithë skuadra pati një performancë pozitive. Ne u kërcënuam disa herë nga kundërsulmet e Milanit, dhe ne gabuam duke tentuar t’i përfundojmë aksionet shpejt gjë që i mundësoi atyre të dilnin rrezishëm përpara”, tha Allegri.

Douglas Costa u zëvendësua në minutat e fundit me Bernardeschin, por Allegri ka siguruar se nuk ka ndonjë shqetësim serioz për anësorin brazilian.

“Ishte vetëm një ngërç, ai luajti një ndeshje të mirë. Këta lojtarë e kuptojnë se çfarë do të thotë të sakrifikohesh. E admiroj mbi të gjitha shpirtin dhe profesionalizmin e kësaj skuadre, edhe futbollistët që erdhën nga banka rezervë patën qasjen e duhur pavarësisht se u aktivizuan për pak minuta. Kjo na duhet për të qenë të suksesshëm këtë sezon”, përfundoi Allegri.