Trajneri i "Bianconerëve"

Allegri e pranon se Interi i nxorri probleme Juventusit

Interi ishte skuadër më e mirë në “Derby d’Italia” të zhvilluar mbrëmë në “Allianz Stadium”, teksa trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri e ka pranuar se “Nerazzurrët” i nxorrën probleme në fitoren 1-0.

Goli i Mario Mandzukic në minutën e 66-të i dha 3 pikët “Zonjës së Vjetër” duke e barazuar rekordin për koleksionimin e më së shumti pikëve, 43, pas 15 javëve në 5 ligat e Europës.

Interi e filloi mirë takimin derisa pati dy raste të pastra shënimi, fillimisht Gagliardini qëlloi shtyllën dhe më pastaj Perisic nga afërsia dështoi të dërgojë topin në rrjetë.

“Interi na shkaktoi probleme në pjesën e parë, ne dështuam t’i ndalim Joao Marion dhe Gagliardinin. Rastet më të mira të tyre erdhën pasi ne e humbëm topin. Unë i ndërrova pozitën Mandzukicit duke e vendosur në krahun e majtë, kurse Dybala pati një paraqitje të mirë dhe ne kishim një tjetër paraqitje në aspektin e intensitetit dhe presionit. Nuk i lejuam pothuajse asnjë mundësi Interit në pjesën e dytë, ne kishim disa raste në anën tjetër. Gjithashtu i ndërrova krahët e mbrojtjes sepse Cancelo kishte probleme me ndaljen e Politanos”, tha Allegri.

Kjo fitore e vendosi Juventusin 11 pikë para ndjekësit të parë, Napolit, por Allegri nuk është i mendimit se skuadra e tij tashmë e ka fituar titullin e 8-të rresht, duke shtuar se ka ende shumë xhiro për t’u zhvilluar.