Aliu: Jemi duke hartuar një plan që gjatë situatave me vërshime të jemi më të përgatitur

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se janë duke punuar në hartimin e një plani që në situata më vërshime të jenë me shumë të përgatitur.

Aliu ka njoftuar se gjatë ditës kanë vizituar Komunën e Rahovecit dhe sipas tij gjendja e rrezikshmërisë nga vërshimet në këtë zonë nuk është alarmante.

“Ministria është duke bërë Hartat e Rrezikshmërisë nga Përmbytjet dhe hartimin e Planeve për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Thatësirat, në mënyrë që në situata të tilla të jemi shumë më të përgatitur, dhe të përmirësojmë kapacitetet parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme”, ka shkruar Aliu.

Ministri Aliu ka bërë të ditur se zyrtarë të MMPHI-së, nesër do të vizitojnë Komunën e Pejës, Istogut dhe të Mitrovicës.

“Jemi të angazhuar që të marrim masa konkrete përmes investimeve në infrastrukturë, që të jemi më të gatshëm për të përballuar përmbytjet që me siguri do të vijnë edhe në të ardhmen. Ekipet kompetente të menaxhimit të emergjencave në bashkëpunim me komunat, që nga orët e hershme të mëngjesit do të jenë në terren për të reaguar për çdo rast të evidentuar”, ka shkruar ai.