Menjëherë pas vënies së taksës prej 10 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, Lista Serbe e cila është në koalicionin qeveritar, ka thënë se do të mbështesë çdo përpjekje për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.
Qëndrimi i saj u bë publik nëpërmjet një komunikate për media. Ky subjekt politik ka thënë se do të mbështeste çdo propozim për të rrëzuar qeverinë ndërsa paralajmëroi edhe protesta paqësore nëse masat e Prishtinës ndaj mallrave serbe nuk tërhiqen.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk ua kërkojnë votat Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, por ka thënë se ato janë vota të deputetëve dhe si të tilla janë të pranueshme.
“Deklaratat e Listës Serbe duken më shumë deklarata presioni dhe shantazhi sesa deklarata për rrëzim të Qeverisë. Qeveria aktuale po ia plotëson çdo kërkesë Listës Serbe rrjedhimisht Beogradit dhe në këtë drejtim as këta nuk kanë interes për rrëzim. Ne konsiderojmë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, angazhohemi për këtë si opozitë, ne nuk do të bashkëpunojmë dhe as nuk do të shkojmë tek Lista Serbe për t’ia kërkuar votat, por meqë vota e tyre sikur e çdo deputeti numërohet, natyrisht që nëse ata votojnë për rrëzim, do të pranohet”, ka thënë Haxhiu për Koha.net.
Kjo Qeveri, sipas Haxhiut, qëndron në këmbë me votat e Listës Serbe dhe në këtë drejtim po bën skandale të vazhdueshme.
“Prandaj s’ka kuptim të thonë ‘mos na rrëzoni me votat e tyre’. Dëmet më të mëdha janë nëse ne ia zgjasim jetën kësaj Qeverie”, përfundoi Haxhiu.
Mirëpo, duket se në Lëizjen Vetëvendosje nuk ka dakordim se a duhet pranuar apo votat e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Rexhep Selimi, deputet i VV-së, flet ndryshe nga Haxhiu.
“Ne nuk kemi bashkëpunuar me Listën Serbe as për ta votuar Haradinajn, por as për ta rrezuar” , ka thënë të shtunën deputeti Selimi. /Ballkani.info/







